Sunday, March 21, 2010
23 tifozë të Herthas tre vjet jashtë stadiumeve gjermane
Berlin, 21 mars - Skuadra gjermane, Hertha Berlin, ua ka ndaluar hyrjen në stadiumet gjermane për tre vjet 23 tifozëve që u identifikuan si fajtorë për huliganizmin e shfaqur gjatë ndeshjes së javës së kaluar, bëjnë të ditur mediumet gjermane të shtunën. Afro 100 tifozë të Herthas ishin futur në fushë në stadiumin olimpik të Berlinit, pasi që Hertha u mposht nga Nurnbergu me 2:1. Disa prej tifozëve kishin ndjekur futbollistët deri në zhveshtore. Po ashtu ishte dëmtuar edhe fusha në Berlin.
Federata e Futbollit e Gjermanisë është ende duke hetuar rastin, por krerët e Herthas me ndihmën e incizimeve kanë identifikuar 23 huliganët të vlerësuar si fajtorë kryesorë për këtë sulm. Atyre iu është kumtuar se nuk kanë të drejtë të futen nëpër stadiume deri në korrik të vitit 2013.
Madje tifozët edhe janë paraqitur në polici për prishje të rendit, ndërsa njëri prej tyre edhe është paditur për dëmtim të stadiumit.
"Nuk ka fare arsyetim për atë sjellje. Për këtë arsye ne nuk kemi treguar fare butësi gjatë shqiptimit të dënimit. Tifozët që janë suspenduar janë identifikuar qartë. Pas bisedimeve me ta ne e kuptuam se sjellja ishte reagim spontan, pas disfatës së pësuar. Por, nuk ka mëshirë për atë që bënë", ka thënë menaxheri i Herthas, Michael Preetz.
Hertha gjendet në pozitën e fundit në Bundesligën gjermane me 15 pikë nga 26 ndeshje. Këtë stinor ka shënuar vetëm tri fitore, ndërsa mundësitë për të mbijetuar janë mjaft të vogla.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment